Home Lajme Tallja e Apostolovas për kosovarët: Liberalizimi do të ndodh një ditë!

Tallja e Apostolovas për kosovarët: Liberalizimi do të ndodh një ditë!

80
0

Kosova sot po shënon Ditën e Evropës, ani pse ende vazhdon të jetë vendi i vetëm në rajon pa liberalizim të vizave. Sot kur po shënohet kjo ditë, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova nuk ka dhënë një datë se kur mund të ndodh liberalizimi, derisa ka thënë se një ditë do të ndodh.

Ndryshe nga herët tjera, e rezervuar në dhënien e afateve se kur kosovarët mund të udhëtojnë pa viza ka qenë edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Këto deklarime ato i kanë bërë në hapjen e panairit në ‘rrugë me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian’, ku përfaqësuesit e ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare në Kosovë, kanë prezantuar informata mbi studimet në Evropë, mundësitë e pjesëmarrjes në konferenca e trajnime të ndryshme, mundësitë për mësimin e gjuhëve të ndryshme evropiane, si dhe informacione të tjera të vlefshme.

Me këtë rast, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se është e gëzuar që Kosova po e shënon këtë ditë, pasi edhe Kosova është Evropë. Ndërkaq, kur është pyetur se kur do të ndodh liberalizimi i vizave për kosovarët, ajo ka thënë se liberalizimi një ditë do të ndodh.

Apostolova ka deklaruar se kosovarët kanë të drejtë kur thonë që Kosova është duke u dënuar pasi nuk kanë mundësi të udhëtojnë lirshëm, por që ka thënë se institucioni që ajo e përfaqëson ka dhënë rekomandim pozitiv për vizat.

Në anën tjetër, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha nuk ka dashur të jap afate kohore se kur mund të ndodh liberalizimi i Kosovës, por vetëm ka potencuar se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe gjithçka tani është në duart e shteteve anëtare.

Hoxha ka thënë se Kosova e shënon Ditën e Evropës si një shtet që është aspirant për t’u bërë anëtarë i Bashkimit Evropian. Ajo tha se është shumë e rëndësishme që Kosova t’i përqafojë vlerat e Evropës, por edhe t’i zbatojë reformat në mënyrë që sa më shpejt të integrohet drejt BE-së. Sipas saj, BE është një alternativë e vetme, një prioritet i lartë strategjik.

E para e dikasterit të Integrimeve Evropiane ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha detyrat e saj dhe gjithçka tani është në duar të shteteve anëtare.

E pyetur se pse sot në Kosovë është ditë feste, Hoxha ka thënë se ka ardhur koha që të modifikohet kalendari i festave dhe që më 9 maj të mos pushohet. Ajo ka potencuar se ministra që ajo e drejton për vite me radhë në këtë ditë punojnë, pasi sipas saj dëshirojnë të tregojnë se me punë mund të arrihet më shpejt në BE.

Panairin në rrugë me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian është hapur në ora 11:00 dhe ka qenë i hapur deri në orën 13:00 në sheshin ‘Adem Jashari’, në kryeqytet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here